Kurti në një intervistë për Associated Press tha se është e rëndësishme që Perëndimi të qëndrojë i bashkuar në mbështetje të Ukrainës, shtet që po e mbron veten kundër pushtimit të nisur nga Rusia më 2022.
Kurti argumentoi se një Rusi e fortë do të trimëronte Serbinë dhe jo vetëm Kosova, por edhe Bosnje e Hercegovina, Mal i Zi “dhe ndoshta edhe Maqedonia e Veriut” do të rrezikoheshin nga, siç tha ai, ambiciet ekspansioniste serbe.
Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë të larta, teksa dialogu për normalizimin e raporteve – që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian – ka dështuar që të shënojë përparim, veçmas që nga sulmi i armatosur ndaj Policisë së Kosovës në shtatorin e vitit 2023 në Banjskë të Zveçanit.
Një grup i armatosur i serbëve sulmuan policinë, duke vrarë një rreshter të Kosovës. Në shkëmbimet e zjarrit që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë.
“Këto 25 vjetët e këtij shekulli, ky çerekshekulli ka pasur nivelin më të lartë të paqes, lirisë dhe demokracisë në Ballkan”, tha Kurti.
I pyetur se çfarë do të nënkuptonte për Kosovën dhe Ballkanin nëse Rusia do të triumfonte në Ukrainë, Kurti tha se “me Serbinë, që është hegjemoni rajonale dhe bashkëpunëtore e Rusisë, këto 25 vjet paqe, liri dhe demokraci në Ballkan, të paprecedentë në historinë tonë, sërish janë në rrezik”.
“Presidenti despotik [rus, Vladimir] Putin, do të inkurajohej për të vazhduar më tej me përpjekjet e tij për destabilizim, aq më tepër nëse ndihet i suksesshëm në Ukrainë. Unë vërtetë nuk dua të besoj që, në teori, ai mund të fitojë. Por, vetëm ideja që ai mendon se mund ta fitojë luftën, është mjaftueshëm problematike”.
Edhe në të kaluar, Kurti, por edhe udhëheqës të tjerë shtetërorë kanë paralajmëruar se Rusia mund të përdorë Serbinë, për të rritur tensionet në Kosovë dhe më gjerë në rajon.
Serbia dhe Rusia kanë raporte të mira dhe Beogradi është ndër vendet e pakta në Evropë që nuk u është bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian të vendosura ndaj Moskës për shkak të agresionit ndaj Ukrainës.