Një tjetër sit i trashëgimisë kulturore i dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019 është restauruar
Hamami i Durrësit ka rihapur sot dyert e tij, duke i ofruar vizitorëve mundësinë të përjetojnë historinë e pasur dhe diversitetin kulturor të Shqipërisë.
I gjendur pranë Kullës Veneciane, Hamami është një nga 15 sitet e trashëgimisë kulturore që janë rinovuar plotësisht përmes programit ‘EU4Culture’, ndërsa puna është duke vazhduar në 8 site të tjera.
Ambasadori i BE-së Silvio Gonzato, i cili mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit u shpreh, “shumë i lumtur për inaugurimin e Hamamit, pasi ky vend është një testament i diversitetit fetar, social dhe kulturor të këtij vendi”.
“Shqipëria është një shembull i shkëlqyer i kësaj bashkëjetese mes njerëzve me tradita të ndryshme. Kjo është edhe ajo që BE-ja përfaqëson, njerëz me kultura dhe tradita të ndryshme që jetojnë së bashku në harmoni”, theksoi ai.