Galeria Kombëtare e Kosovës ka hapur ditën e djeshme në mjediset e saj ekspozitën kolektive me vepra të përzgjedhura, të titulluar “Nga Koleksioni: Kur Qeniet Takohen.” Ekspozita ka bërë bashkë veprat e 24 artistëve, emra të shquar të artit pamor në periudha të ndryshme kohore.
Lajmi bëhet me dije nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës në një postim në rrjetet sociale.
Arti ka një histori të ndërthurur ngushtë me përfaqësimin e jetës dhe identitetit, si dhe të pozitës së njerëzve në raport me qeniet jonjerëzore. Kjo ekspozitë ka pikënisje prezantimin e kafshëve në artin pamor për një periudhë të gjatë kohore e cila përfshin vepra nga fundi i shekullit XX të cilat janë pjesë e koleksionit të Galerisë Kombëtare të Kosovës.
Veprat e përzgjedhura përshkojnë përfaqësimin e thjeshtë të kafshëve duke i paraqitur ato në mjedise imagjinare dhe reale dhe duke mjegulluar hierarkitë mes qenieve.
Piktura e Mikel Gjokajt dhe skulpturat e Radoslav Musa Miketić-it dhe Dragoljub Adžić-it, mistifikojnë dhe materializojnë me cilësi antropomorfe qeniet njerëzore dhe ato jonjerëzore.
Të tre artistët në punët e tyre, i referohen figurës mitologjike greke Ikarus, që u shua pasi fluturoi shumë afër diellit, i cili i shkriu krahët prej dylli.
Ekspozita është kuruar nga Hana Halilaj dhe Shkamb Jaka.