Ekonomia shqiptare u rrit me 3.94 % gjatë vitit 2023, krahasuar me vitin 2022 dhe rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), në terma realë shënoi 4.83% në vitin 2022, krahasuar me vitin 2021.
Instituti i Statistikave, publikoi sot statistikat mbi PBB, të rishikuar, duke i paraqitur ato me përmirësime në burime dhe metodologji, bazuar me Kodin e Praktikave të Statistikave Europiane dhe Politikën e Harmonizuar Europiane për Rishikimin e Statistikave Makroekonomike, ashtu sikurse kishte njoftuar më parë publikisht, që do të realizohej në shtator 2024.
Si rezultat i përmirësimeve të lartpërmendura, rishikimi i serive kohore 2018-2023, ka ndikuar në nivelin e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), duke rezultuar në ndryshim në terma nominal 2.48 % në vitin 2023 krahasuar me vlerësimet e mëparshme, të cilat bazoheshin në vlerësimet tremujore të PBB-së.
Sipas INSTAT, rritja reale e PBB-së për vitin 2023, vlerësohet 3.94% nga 3.45% e publikuar më parë nga vlerësimet e PBB-së tremujore.
Për sa i përket strukturës së PBB-së, sipas aktiviteteve ekonomike, peshën më të madhe në ekonomi për vitin 2023 vazhdojnë ta zënë shërbimet gjithsej, me 47.96 %, duke shënuar një rritje në terma realë me 8.26 %. Industria dhe ndërtimi përbëjnë 23.03 % të PBB-së. Lidhur me ndryshimet e aktiviteteve kryesore të ekonomisë konstatohet se në terma realë, industria ra me 2.37 % dhe ndërtimi u rrit me 8.48 %.
Nga ana tjetër, bujqësia, gjuetia, pyjet dhe peshkimi zënë 16.22 % të PBB-së dhe paraqiten me një rënie prej 1.82 % në terma realë.
Sa i përket kontributit, vihet re se, “Tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimi ushqimor” patën ndikimin më të madh prej 1.65 %. “Administrata publike, arsimi dhe shëndetësia” ndikoi me 1.00 %, “Ndërtimi” me 0.98 %, “Aktivitete profesionale, administrative dhe mbështetëse” me 0.76 %, “Arte, argëtim dhe çlodhje, aktivitete të tjera shërbimi” me 0.23 %, “Informacioni dhe komunikacioni” me 0.15 %.