Ky tregues, mes të tjerash, tregon që ky sit mbetet një nga parqet arkeologjike më të vizituara në të gjithë Shqipërinë ndërsa shton përgjegjësitë për t’u kujdesur fort për mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore e për të vazhduar punë të bukura përpara për promovimin e turizmit në Shkodër përmes thesareve të trashëgimisë.
Kalaja e Shkodrës, apo siç njihet ndryshe me emrin Kalaja e Rozafës është një prej kështjellave më të rëndësishme të Shqipërisë, emri i së cilës vjen prej një legjende të lashtë. Kalaja është ngritur mbi një kodër shkëmbore në hyrje të qytetit të Shkodrës, nga ana jug-lindore e tij. Rezulton të jetë ndërtuar qysh nga antikiteti duke ju rezistuar shekujve e duke qëndruar krenare deri në ditët tona.
Kalaja ka një pozicion të fuqishëm strategjik duke kontrolluar të gjithë territorin e gjerë përreth. Ajo përbëhet prej tre oborreve kryesore që janë në formë të shkallëve duke u ngritur njëri pas tjetrit ku dhe ndahen me porta mes tyre. Një strukturë e tillë e bën më të thjeshtë orientimin e turistëve në hapësirat e objektit.