Sipas njoftimit zyrtar, injektimi mesatar ditor nëpërmjet operacioneve injektuese të likuiditetit me maturim 1-13 javë është rritur në mesatarisht 44.55 miliardë lekë nga 22.70 miliardë lekë që rezultonte në tremujorin e parë, dhe 45.40 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Me objektiv rritjen e rezervës valutore, Banka e Shqipërisë zhvilloi 7 ankande për blerjen e valutës, ku 3 prej tyre janë zhvilluar me marrëveshje forward, (një marrëveshjeje paraprake për blerjen e euros në një datë të ardhshme dhe me një kurs këmbimi të përcaktuar që në momentin e arritjes së kësaj marrëveshjeje), si dhe 4 ankande të llojit SPOT, (blerje sipas kursit të këmbimit në datën që është mbajtur ankandi).
Ndërhyrjet në tregun valutor kanë rritur likuiditetin e bankave me 22.56 miliardë lekë me një përqendrim më të madh në periudhën maj-qershor.
“Në ankandet e zhvilluara janë blerë 101.60 milionë euro pas blerjes prej 32.60 milionë eurosh në tremujorin e kaluar. Mesatarja e blerë në ankandet e këtij tremujori ka qenë 14.50 milionë euro. Krahas blerjeve me ankand, prej datës 2 maj 2024, Banka e Shqipërisë ka filluar edhe ndërhyrjet në tregun valutor në përmbushje të objektivave të politikës monetare ose të stabilitetit financiar, nëpërmjet blerjes së 137.60 milionë eurove”, bëri të ditur Banka e Shqipërisë.