Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro njoftoi sot miratimin e Planit të Integruar të Menaxhimit të Parkut Kombëtar Lumi Vjosa.
“Pas një pune të nisur 2 vite më parë nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, me mbështetjen e partnerëve PATAGONIA dhe IUCN, sot është zyrtarizuar Plani i Integruar i Menaxhimit të Parkut Kombëtar Lumi Vjosa”, tha ministrja në një postim në rrjetet sociale.
Miratimi i këtij plani, sipas saj, “vjen si rezultat final i një pune mjaft intensive ndërmjet ekspertëve shqiptarë dhe të huaj, si dhe konsultimesh publike të njëpasnjëshme në të gjithë territorin”.
Kumbaro theksoi se u zhvilluan një sërë diskutimesh, trajnimesh dhe ekspertizash, të cilat sot na japin mundësinë të kemi të finalizuar një tjetër hap të rëndësishëm dedikuar lumit Vjosa. Plani i menaxhimit të Parkut Kombëtar të Vjosës do të krijojë mundësi ekonomike për komunitetet lokale, nëpërmjet zhvillimit të turizmit.