Shqipëria pritet të ketë një rritje ekonomike në 3.5 % për këtë vit.
Ky është parashikimi më i fundit i raportit të publikuar nga Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim, BERZH për rajonin e Ballkanit.
“Sektori financiar mbeti i qëndrueshëm në gjysmën e parë të vitit 2024, me likuiditet të mjaftueshëm, me rentabilitet të qëndrueshëm dhe aktivitet kreditor në rritje. Rritja parashikohet në 3.5 për qind në 2024 dhe 3.7 për qind në 2025”, thuhet në raport.
Në gjysmën e parë të këtij viti, ekonomia e vendit tonë shënoi një rritje me 3.6 për qind si rezultat i të ardhurave të larta nga turizmi dhe shërbimet. Ndërsa prodhimi bujqësor dhe ai industrial pësoi rënie. BERZH vlerëson se inflacioni është në një prirje rënëse dhe brenda objektivit të bankës qendrore, në nivelin 2.1 për qind në korrik 2024.
Më tej theksohet se Leku shqiptar ka qenë i qëndrueshëm në muajt e fundit, pas një mbiçmimi prej 12.5 për qind në vitet 2022-2023, pjesërisht si pasojë e ndërhyrjeve të bankës qendrore në treg.
Sa i përket Ballkanit Perëndimor, rritja ekonomike u rrit në 3.7 % në gjysmën e parë të këtij viti, nga 2.5 % që ishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Deri në fund të vitit parashikohet që rritja e ekonomisë të jetë 3.4 %, ndërsa vitin e ardhshëm 3.7 %.
BERZH nënvizon se zbatimi i mëtejshëm i reformave strukturore, të mbështetura nga Plani i Rritjes Ekonomike për Ballkanin Perëndimor mund ta nxisin më tepër rritjen ekonomike.