Shtetet e Bashkuara të Amerikës po ofrojnë mbështetje të mëtejshme ushtarake për Ukrainën – për ta ndihmuar atë të mbrohet kundër Rusisë, duke përfshirë municionet thërrmuese të diskutueshme.
“Paketa e re vlerësohet në 375 milionë dollarë”, tha dje Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) në një njoftim.
Ajo përfshin gjithashtu municione për raketat e shumta “Himars”, municione artilerie, si dhe mjete të blinduara dhe varka patrullimi. Pajisjet vijnë nga stoqet e ushtrisë amerikane.
Municionet thërrmuese përbëhen nga bomba të mbyllura në kontejnerë që mund të gjuhen nga toka ose ajri. Më pas, ato përhapën në një zonë të gjerë, ku shumë prej tyre nuk shpërthejnë gjatë kontaktit por mbetën një rrezik për vitet më pas.
Më shumë se 100 vende e kanë ndaluar përdorimin e tyre, përfshirë Gjermaninë. As Rusia dhe as Ukraina nuk e kanë nënshkruar konventën ndërkombëtare për ndalimin e municioneve, e cila hyri në fuqi në vitin 2010.
Udhëheqja ukrainase argumentoi se i duhen këto armë për të mbrojtur veten dhe për të çliruar territoret e pushtuara në konfliktin e saj me Rusinë fqinje.
“Që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkallë të plotë në shkurt 2022, SHBA-ja i ka ofruar Kievit një ndihmë ushtarake me vlerë rreth 56 miliardë dollarësh”, sipas shifrave të Pentagonit.
Në korrik të vitit të kaluar, Uashingtoni dërgoi publikisht municione thërrmuese në Ukrainë për herë të parë. Rusia e përshkroi përdorimin e tyre si një përshkallëzim të mëtejshëm në luftë.