Këshilli i Ministrave shpalli sot “peizazh të mbrojtur ujor/tokësor” të kategorisë V zonën e Bisht-Kamzës, në Durrës.
Veprimtaritë e ndaluara në peizazhin e mbrojtur ujor/tokësor “Bisht-Kamzë” janë ato të cilat përkeqësojnë, shkatërrojnë dhe/ose çojnë në humbjen e habitateve natyrore, të tilla si kultivimi e mbarështimi i specieve invazive dhe joendemike, të cilat mund të dëmtojnë zinxhirin ekzistues të botës së gjallë të zonës së mbrojtur, fragmentimi i habitateve, grumbullimi i kafshëve të egra, përveç rasteve me qëllim kërkimor-shkencor ose riprodhimi, gjuetia, si dhe mbjellja e llojeve monokulturë (në pyllëzime).
Ndër veprimtaritë e lejuara në peizazhin e mbrojtur ujor/tokësor Bisht-Kamzë, janë ato kërkimore-shkencore, me qëllim edukimin mjedisor, veprimtaritë me qëllim monitorimin e gjendjes mjedisore, të ekosistemit, të habitateve dhe të llojeve floristike e faunistike; çdo veprimtari, që lidhet me ndërhyrjet e nevojshme ose urgjente për përmirësimin e biodiversitetit, të rigjenerimit, ose çdo veprimtari tjetër për këtë qëllim, veprimtaritë e zhvilluara në struktura miqësore me biodiversitetin dhe mjedisin, apo veprimtaritë e zhvilluara në struktura akomoduese të turizmit/agroturizmit dhe çdo veprimtari/infrastrukturë tjetër mbështetëse.
Po ashtu, veprimtaritë ekonomike, shoqërore, nëpërmjet ndërtimit të strukturave miqësore me biodiversitetin, instalimet për veprimtari të prodhimit të energjisë nga burimet e rinovueshme, si dhe transmetimit e shpërndarjes së energjisë; ndërtimi i infrastrukturave të transportit miqësore me biodiversitetin, si: shtigje biçikletash, shtigje për ecje, ndërhyrjet e lejuara urbane, të rekreacionit apo ekonomike brenda zonës, duke ruajtur karakterin e saj, veprimtaritë bujqësore-blegtorale, pylltaria, kullotja, ngritjet e qendrave për mbarështim të peshkut, të llojeve endemike, pasi të jenë pajisur me lejet e nevojshme, ekoturizmi, si hiking, shëtitje me varkë, zhytje për eksplorim të botës nënujore, peshkimi artizanal tradicional e çlodhës-argëtues.
Plani i menaxhimit i peizazhit të mbrojtur dhe objektivat e ruajtjes së zonës hartohen nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, në bashkëpunim me ministritë e linjës, me bashkitë, me publikun e interesuar, shoqërinë civile dhe me pronarët, pronat e të cilëve shtrihen brenda territorit të zonës së mbrojtur dhe miratohen nga ministri përgjegjës për zonat e mbrojtura, brenda dy vjetësh nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
Forma e administrimit të territorit të peizazhit të mbrojtur ujor/tokësor Bisht-Kamzë është e kombinuar, shtetërore, bashkiake dhe private.