Fasli Spahiu ka dalë në pension, por karriera e tij e gjatë në ajër është e vlefshme edhe sot për brezat e rinj që kanë marrë përsipër stafetën.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu  ndau sot historinë e Fasli Spahiut, i cili është rekordmeni i orëve të fluturimit, në Forcat e Armatosura.

Me një karrierë të gjatë si efektiv në Forcat e Armatosura dhe që prej 2009-ës si pilot civil me autoambulancat mjekësore, ai ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në qindra misione, nga jugu në veri.

Edhe pse në pension, ai sot është ende i gatshëm të ndihmojë duke u ofruar të trajnojë pilotët e rinj si vullnetar. Shembull frymëzimi nga një profesionist i shkëlqyer.

“Fluturimi im i parë ka qenë me instruktorin tim Asqerim Uka, në datën 28 prill në vitin 1980 në orën 10:35 minuta. Puna ime më e bukur ka qenë puna e instruktorit. Ishte një gjë e mrekullueshmë të shpëtosh, të ndihmosh njerëzit në nevojë. E bukur në kuptimin për atë që bën, por që ka brenda edhe vuajtjet e tyre dhe kjo është një gjë që nuk e harroj”, shprehet Fasliu.

“Helikopteri është modern dhe në 70% të prodhimeve përdoret në botë për transport mjekësor.  Aviacioni zhvillohet me ditë, nuk zhvillohet me vit. Në vitin 1905 u bë fluturimi i parë dhe në vitin 1968 u ulëm në hënë”, thekson më tej ai.

“Tani jam thejsht një pensionist. Nëse do të ishte e nevojshme dhe do të kërkohej nga shteti do të punoja vullnetarisht”, nënvizon Fasliu.