Qeveria shqiptare do t’i largohet skemës së tarifave tatimore të reduktuara për të shkuar drejt stimujve të bazuar te shpenzimet.
Në Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave e cila doli për konsultim publik së fundmi,
synimi është drejt lehtësive për sektorë prioritarë duke u bazuar në kosto dhe jo tarifave të reduktuara
“Në të ardhmen do të synohet kalimi nga stimujt e bazuar në tarifat tatimore të reduktuara, në stimujt e bazuar tek shpenzimet, si për shembull mund të merren në konsideratë lehtësi tatimore në fushën e kërkim zhvillimit (R&D), nëpërmjet njohjes së shumëfishtë të tyre si shpenzime biznesi, si një formë stimulimi ndaj kompanive, me qëllim përfitimet që vijnë në shoqëri nga inovacioni. Ndërkohë që stimujt tatimore të R&D mund të jenë efektivë në stimulimin e investimeve të biznesit në kërkim-zhvillim, hartimi, administrimi dhe mënyra e përfitimit të lehtësive tatimore është thelbësore për efektivitetin e këtyre masave”, thuhet në strategji.
Teorikisht, sistemet që përmbajnë disa norma tatimore, krijojnë hapësira për shmangie dhe është e njohur tendenca e tatimpaguesve për të përfituar nga regjimet e taksimit me norma më të ulëta.
Struktura e operatorëve ekonomikë në Shqipëri është e tillë ku pjesa dërrmuese e tatimpaguesve bëjnë pjesë në grupet me të ardhura shumë të ulëta apo të ulëta.
Numri total i bizneseve të regjistruara është 141 300, nga të cilat tatimpagues me të ardhura 0-5 milion 105 293 ose 74.5% e totalit; tatimpagues me të ardhura 5-8 milion 13 281 ose 9.4% e totalit; tatimpagues me të ardhura 8-14 milion 8 010 ose 5.7% e totalit; tatimpagues me të ardhura mbi 14 milion 14 716 ose 10.4% e totalit.
Pra 89.6% e totalit të bizneseve që operojnë në Shqipëri deklarojnë të ardhura deri në 14 milionë lekë për vitin 2023.