Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu bëri të ditur sot se, kanë mbërritur në vendin tonë “Ex Austere Wolf – AW24”, një pjesë përbërëse e trupave të “Corridor VIII Response” në Shqipëri.
Vëngu thekson se, “Korridori VIII” është një aktivitet që thekson rëndësinë strategjike të Shqipërisë në NATO si pjesë e Ballkanit Perëndimor.
“Mbërrijnë në vendin tonë “Ex Austere Wolf – AW24”, një pjesë përbërëse e trupave të “Corridor VIII Response” në Shqipëri. “Korridori VIII” është një aktivitet që thekson rëndësinë strategjike të Shqipërisë në NATO si pjesë e Ballkanit Perëndimor”, shkruan Vengu në një postim në rrjetet sociale.
Qeveria, në mbledhjen e të mërkurës, miratoi vendimin që lejon pjesëmarrjen e 825 trupave ushtarake të Britanisë së Madhe në stërvitjen e përbashkët dypalëshe “Corridor VIII Response”.
“Qëllimi i pjesëmarrjes të Forcave të Armatosura është demonstrimi i aftësive të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë për koordinimin, sigurimin e teatrit të zbarkimit, pritjen dhe shoqërimin e forcave britanike në territorin e Republikës së Shqipërisë”, thuhet në vendim.
Stërvitja zhvillohet në periudhën 18 shtator -13 tetor 2024, në afërsi të Bazës Detare të Pashalimanit, sipas teknikave amfibe dhe në Portin e Durrësit për trupat e Strategic Reserve Force (SRF).
“Trupat britanikë gjatë hyrjes, qëndrimit dhe daljes nga territori i Republikës së Shqipërisë do të kenë statusin e parashikuar në marrëveshjen ndërmjet palëve të Traktatit të Atlantikut të Veriut, për statusin e forcave të tyre, nënshkruar në Londër, më 19 qershor 1951, dhe ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë. Gjatë hyrjes, qëndrimit e daljes nga territori i Republikës së Shqipërisë trupat britanikë shoqërohen nga njësi të armatosura të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.”, thuhet në vendim.