Në krye të takimit, Guvernatori Sejkoi i përcolli Salinas, një falënderim të veçantë për asistencën teknike të ofruar ndër vitenga Banka Botërore për Bankën e Shqipërisë, kryesisht në fushat e mbikëqyrjes bankare, sistemeve të pagesave, ndërhyrjes së jashtëzakonshme dhe edukimit financiar.
Në vijim, Guvernatori kreu një ekspoze të panoramës ekonomike në vend të fokusuar në stabilitetin financiar, rritjen ekonomike, ecurinë e kreditimit dhe depozitave. Ai theksoi se gjysma e parë e vitit 2024 është karakterizuar nga një rritje e mirë ekonomike, me zhvillime pozitive në tregun e punës në drejtim të papunësisë dhe nivelit të pagave, përmirësim i treguesve fiskalë dhe zbutje e ndjeshme e presioneve inflacioniste, të cilat u pasuan nga vendimi i BSH-së për uljen e normës bazë të interesit në nivelin 3% në muajin korrik.
Gjithashtu Guvernatori diskutoi lidhur me një ndër objektivat strategjikë të Bankës së Shqipërisë si modernizimi i sistemeve të pagesave dhe më konkretisht anëtarësimi në Tregun Unik të Pagesave në Euro, njohur ndryshe si SEPA, dhe zbatimi i projektit për pagesat e shpejta (Instant Payment), për të cilin Banka e Shqipërisë po bashkëpunon ngushtë me ekspertët e Bankës së Italisë. Në këtë kuadër, Banka Botërore mund të luajë një rol mbështetës për këtë projekt me rëndësi strategjike për Bankën e Shqipërisë dhe zhvillimin e pagesave në vend.
Një tjetër prioritet i Bankës së Shqipërisë këtë periudhë, në të cilën angazhimi i Bankës Botërore mbetet i një rëndësie të veçantë, ka qenë përmirësimi i kuadrit rregullator për sistemin financiar dhe sidomos në fushën e mbrojtjes së konsumatorit në mënyrë që të sigurohet mbrojtja e interesave më të mira të konsumatorëve përballë zhvillimeve të vazhdueshme të këtij tregu.
Salinas përgëzoi Guvernatorin Sejko për angazhimin e shfaqur gjatë zbatimit me sukses të projekteve të përbashkëta dhe u shpreh se Banka Botërore do të vijojë të angazhohet që programet e asistencës teknike dhe bashkëpunimi ndërinstitucional të thellohen edhe më tej.
Në përfundim, bashkëbiseduesit diskutuan mbi projektet e ardhshme të Bankës së Shqipërisë, të cilat mund të mbështeten nëpërmjet asistencës teknike të ofruar nga Banka Botërore.