Revista e njohur Forbes i ka kushtuar një artikull të veçantë Tiranës dhe transformimit të saj në 10 vitet e fundit. Duke nisur që nga zhvillimi urbanistik e deri tek ai kulturor, Forbes shkruan se nën drejtimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, qyteti ka përjetuar një transformim të thellë, i cili e ka bërë atë të shfaqet si një model urban pionier. Ndërkohë, në vitin 2025, Tirana do të jetë një nga dy kryeqytetet Mesdhetare të Kulturës dhe Dialogut, së bashku me Aleksandrinë në Egjipt.
Evolucioni i vazhdueshëm i tabelës gjeopolitike dhe rrjedhimisht ekonomike në Evropë, na tregon se si përtej Adriatikut, interesi për kapitalin e huaj, kryesisht nga Italia fqinje, është baza e një veprimi për t’u hapur ndaj zhvillimit, i cili tashmë ka nisur për disa vite. Mikpritja, luksi, zgjerimi urban dhe vëmendja ndaj kulturës, rezultojnë të jenë katër gurët e themelit të një ndryshimi që synon riformësimin e skenarit të të gjithë hapësirës ballkanike, ku Shqipëria po luan rolin e protagonistes.
Ndër qytetet kryesore është sigurisht kryeqyteti, Tirana, dëshmitar i një hapjeje të shpejtë financiar ndaj kapitalit ndërkombëtar, Italia është objektivi kryesor i saj. Një transformim i shpejtë ‘estetik’, i mbështetur nga një bum i paprecedentë ndërtimi, me ngritjen e ndërtesave dhe zonave financiare që ndryshuan pamjen e horizontit të saj, të vendosur në një përzierje të arkitekturës osmane, austro-hungareze dhe italiane.
Tirana, kryeqyteti mesdhetar i kulturës dhe dialogut
Në vitin 2025, Tirana do të jetë një nga dy kryeqytetet mesdhetare të kulturës dhe dialogut, së bashku me Aleksandrinë në Egjipt. Një mirënjohje e rëndësishme e dhënë nga 43 vendet anëtare të Unionit për Mesdheun (UfM), e cila vjen pas një vlerësimi të kujdesshëm në fronte si promovimi i dialogut ndërkulturor dhe vlerat e tolerancës dhe respektit.
“Në një kohë ndarjesh politike dhe konfliktesh serioze, projekti është dëshmi e fuqisë së kulturës në ndërtimin e urave dhe promovimin e dialogut, gjë që është kaq e nevojshme,” komentoi Nasser Kamel, sekretari i përgjithshëm i UfM.
Gjatë gjithë vitit, Tirana dhe Aleksandria do të presin një sërë ngjarjesh kulturore dhe arsimore, duke forcuar bashkëpunimin mes vendeve mesdhetare dhe duke festuar identitetin e tyre të përbashkët. Një qendër e gjallë kulturore, sot Tirana u ofron partnerëve të saj ndërkombëtarë formula të ndryshme investimi dhe luks mikpritjeje që zë vendin e parë në bregdetin ballkanik.