Drejtore e Përgjithshme e Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), Vilma Tomço mirëpriti në një takim shkencëtaren dhe drejtuesen e Shërbimit të Imazheve Tokësore dhe Planetare, si dhe drejtuese e UN-SPIDER Israel Regional Support Office, Shimrit Maman. Maman ishte e shoqëruar nga ambasadorja e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg.

Tomço e njohu Maman me misionin dhe arritjet e ASIG në krijimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor (NSDI), në vendin tonë.

Të pranishmit patën mundësi gjithashtu të njihen me veprimtarinë e gjerë të dr. Maman si udhëheqëse e programeve të larmishme në arsim, programeve zhvillimore për shkencën si dhe përfshirjen e saj në ekipin kërkimor i cili ka udhëhequr nanosatelitin e parë Izraelit, lëshuar në hapësirë më 15 shkurt 2017.

Gjatë këtij takimi u shkëmbyen ide mbi mundësi bashkëpunimi midis ASIG dhe institucioneve homologe në Izrael.