Më 1 tetor nis aplikimin Skema e re Kombëtare e Investimeve për fermerët.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj në një intervistë në medie tha se Skema është në vijim të Skemës së Subvencioneve të shpallur në fillim të vitit.

Sipas saj, për Skemën e Subvencioneve kanë aplikuar 71 mijë fermerë dhe deri tani është shpërndarë subvencioni për rreth 34 mijë, ndërsa vijon procesi i disbursimit për të tjerët.

“Kjo është një skemë që shkon për investime në sipërfaqe të ndërtimit të serrave diellore, të stallave. Njëkohësisht kemi vendosur mekanikën bujqësore në fokus dhe rrjetat antibreshër”, shtoi ministrja.

Sepse, theksoi ajo, në vitet e fundit ka pasur në disa zona të vendit dëmtime të konsiderueshme nga breshëri, i cili i ka gjetur të papërgatitur fermerët.

“Në këtë mëyrë ne duam që të përgatisim të gjithë fermerët që janë në këto zona të ekspozuara duke investuar në një skemë granti”, deklaroi Denaj.

Për ndërtimin e serrave diellore të reja, me sipërfaqe jo më pak se 0.2 (zero pikë dy) ha dhe jo më shumë se 2 (dy) ha për subjekt, përfshirë edhe instalimin e sistemit të ujitjes masa e përfitimit të jetë 50% e vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se: 15 000 000 (pesëmbëdhjetë milionë) lekë/ha për serrat e prodhimit të perimeve; 8 000 000 (tetë milionë) lekë/ha për serrat e prodhimit të rrushit për tavolinë; 4 000 000 (katër milionë) lekë/ha për serrat (tunelet plastike) të prodhimit të luleshtrydheve.

Për rrjeta për mbrojtjen e prodhimit nga breshëri në blloqet ekzistuese me pemë frutore, agrume dhe vreshta, masa e përfitimit të jetë 50% e vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 1 500 000 (një milion e pesëqind mijë) lekë/ha. Në këtë rast, financimi bëhet për sipërfaqe jo më pak se 1 (një) ha dhe jo më shumë se 5 (pesë) ha.

Për ndërtimin e ambienteve për mbarështimin e kafshëve dhe stabilimenteve për rritjen e shpendëve, me kapacitet jo më pak se 10 (dhjetë) lopë, jo më pak se 100 (njëqind) të imëta, jo më pak se 10 (dhjetë) dosa dhe jo më pak se 10 000 (dhjetë mijë) shpendë, masa e përfitimit të jetë 50% e vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 15 000 000 (pesëmbëdhjetë milionë) lekë për subjekt.

Për blerjen e traktorëve, makinerive dhe pajisjeve për mekanizimin dhe modernizimin e proceseve të punës në fermat bujqësore dhe blegtorale, masa e përfitimit të jetë 50% e vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 5 000 000 (pesë milionë) lekë për subjekt.

Mbështetje sigurohet edhe për akuakulturën detare për koshat e rritjes së peshkut (vetëm për koshat dhe rrjetat). Masa e përfitimit të jetë 50% e vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 20 000 000 (njëzet milionë) lekë për subjekt.