Kremlini ka kritikuar ashpër qëndrimin e shefit në largim të NATO-s, Jens Stoltenberg për lejimin e Ukrainës që të përdorë armët e furnizuara nga Perëndimi për të goditur objektiva thellë brenda Rusisë.
Kjo çështje ka qenë shkaku i shumë debateve midis Ukrainës dhe aleatëve të saj perëndimorë për muaj të tërë. Ndërsa Kievi u ka kërkuar partnerëve të tij – duke përfshirë SHBA-në dhe Britaninë e Madhe – të heqin kufizimet për armët me rreze të gjatë për t’i mundësuar atij të sulmojë objektivat në tokën ruse, ka shqetësime se një veprim i tillë do ta tërheqë NATO-n në luftë.
Deri më tani, SHBA-ja i ka dhënë Kievit leje vetëm për të përdorur municionet e saj për të goditur brenda territorit rus nëse objektivat janë pikërisht përtej kufirit nga qyteti i sulmuar në lindje të Ukrainës, Kharkiv.
Presidenti rus Vladimir Putin tha javën e kaluar se nëse Perëndimi e lejon Ukrainën të përdorë armë precize me rreze të gjatë për të goditur objektivat thellë në territorin rus, kjo do të thotë se NATO po hyn në luftë.
Stoltenberg, i cili ka mbrojtur vazhdimisht heqjen e kufizimeve për armët me rreze të gjatë për Ukrainën, hodhi poshtë paralajmërimin e Moskës.
“Është gabim të thuhet se aleatët e NATO-s do të ishin palë në konflikt nëse lejojnë armët që do të përdoren kundër objektivave legjitime në territorin rus”, tha ai për “The Times”.
“Ky refuzim i dukshëm për të marrë seriozisht deklaratat e presidentit rus është një veprim dritëshkurtër dhe joprofesional”, tha sot zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
“Qëndrimi i Stoltenberg ishte thellësisht provokues dhe i rrezikshëm”, tha ai.
Peskov tha se ai besonte se deklarata e Stoltenberg mund t’i atribuohet gjithashtu largimit të tij të afërt si sekretar i përgjithshëm i aleancës ushtarake perëndimore, pasi ai nuk do të mbajë më asnjë përgjegjësi për pasojat e një lëvizjeje të tillë nga 1 tetori, kur ai të largohet nga posti.