Në seancën dëgjimore në Komisionin për Sigurinë Kombëtare për raportimin vjetor të veprimtarisë së institucionit të Drejtorisë së Emergjencave Civile për vitin 2023, Çako tha se, “sa i takon ngjarjeve të rreziqeve natyrore të ndodhura për vitin 2023 janë raportuar gjithsej përmbytje minimale në nivel kombëtar, por ka patur 544 vatra zjarri dhe lëkundje tërmeti”.

“Bashkitë më të prekura kanë rezultuar Vlora, Shkodra,  Selenica, Fieri, Lushnja me një sipërfaqe totale të dëmtuar prej 4200 hektarësh”, u shpreh ai.

Çako theksoi se, “në menaxhimin e emergjencave të ndodhura për vitin 2023, janë angazhuar kapacitete në nivel qendror dhe vendor, në total 19 mijë forca operacionale, 2 543 mjete, përfshirë këtu edhe përdorimin e helikopterëve ‘Cougar’ të Forcave të Armatosura”.

Kreu i Emergjenca Civile nënvizoi se, Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes Civile është aktivizuar në një rast gjatë viti 2023 në situatën e menaxhimit të zjarrit në Pishë Poro të Fierit.

Ndërkohë, shtoi ai, “Shqipëria ofroi mbështetje operacionale të kërkim shpëtimit në partnerët tanë në Turqi, gjatë periudhës shkurt 2023 në tërmetin e rënë, si dhe gjithashtu në Greqi për shuarjen e zjarreve në zonën e Aleksandropulis në gusht të 2023, përmes një misioni që zgjati 15 ditë”.

Çako nënvizoi më tej se, “viti 2024 paraqet një situatë shumë serioze të zjarreve masive ku sipërfaqja e dëmtuar rezulton të jetë 43 466 hektarë me 1077 vatra zjarri, me 98% të rasteve të shkaktuara nga dora e njeriut”.

Kjo, theksoi ai, “ka kërkuar angazhimin e 27 880 forcave operacionale dhe 2 635 mjeteve të angazhuara”.

“Gjatë këtij viti është aktivizuar 4 herë mekanizimi Evropian i Mbrojtjes Civile në rastin e menaxhimit të zjarreve në Dropull, në Vlorë, në Lezhë, respektivisht me kontributin e partnerëve tanë të qeverisë greke, italiane dhe rumune”, tha Çako.

Çako nënvizoi se, “humbjet apo dëmet e shkaktuara ndër vite janë një përgjegjësi e shtetit shqiptar dhe ato tashmë janë marrë në konsideratë dhe mbi bazën e aktit normativ, i cili është kaluar këto ditë, qeveria ka marrë në konsideratë një debi të konsiderueshme për kompensimin e qytetarëve në nivel kombëtar dhe 1.5 miliardë lekë do të kalojnë shumë shpejt për të kompensuar të gjithë trashëgiminë që buron nga detyrimi i ligjit 45 për mbrojtjen civile dhe të gjitha fatkeqësitë”.

Deputeti i Partisë Demokratike, Ferdinand Xhaferraj u shpreh se është pozitive që gjatë vitit 2023 janë kaluar 5 VKM, të cilat ai i konsideroi si nisma pozitive për punën e Emergjencave Civile.

Më tej, ai foli lidhur me tërmetin e 2019-ës, duke u shprehur se vendi ynë u gjet i papërgatitur.

“Në nëntor 2019-ës u goditëm nga tërmeti për të cilën kryeministri u shpreh që ishte një fatkeqësi që na kapi të papërgatitur. Atëherë u evidentua në media që ne kishim flotën mbështetëse më të vjetër në Ballkan. Strukturat tona operacionale nuk bëhej fjalë që të krahasoheshin me Holandën, Francën, Turqinë që na erdhën në ndihmë, por nuk krahasoheshin as me Kosovën. Kjo është Shqipëria ne kemi pasur probleme. E rëndësishme është si i adresojmë problematikat dhe çfarë leksionesh nxjerrim nga ato që na ndodhin”, tha deputeti Xhaferraj.