“Fantazia korale” e Beethoven dhe “Requiem” i Mozart shënuan hapjen e sezonit artistik në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Dy kryevepra të muzikës klasike nga dy kompozitorë me ndikim të jashtëzakonshëm në artin klasik u sollën në skenën e TKOB për publikun shqiptar në këtë fillim sezoni. Në koncert u angazhuan më shumë se 120 artistë të TKOB, të cilët u duartrokitën gjatë nga artdashësit e pranishëm në sallë.

Fantazia korale e Beethoven u jetësua në TKOB nga pianisti Ivo Gjika, solistët Dorina Selimaj, Ivana Hoxha, Marina Kurti, Bledar Domi, Artur Vera, Matias Xheli, kori i TKOB-së në drejtimin e maestro Dritan Lumshi dhe orkestra simfonike nën drejtimin e maestro Jacopo Sipari di Pescasseroli.

Fantazia korale njihet si një ndër kompozimet më të bukura të Beethoven, që i ka paraprirë Simfonisë no.9, ndërsa Requiem-i i Mozart-it, kompozimi i tij i fundit, të fut në një tjetër mister të radhës.

Koncerti do të shfaqet edhe mbrëmjen e sotme për publikun kryeqytetas në skenën e TKOB.