Arsimi profesional konsiderohet si rruga e sigurt drejt punësimit real, ndaj dhe qeveria po mbështet me politika të veçanta kualifikimin e të rinjve në përputhje me nevojat e tregut të punës.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ishte sot në shkollën profesionale teknike “Gjergji Canco” në Tiranë, ku 1100 nxënës nisin vitin shkollor 2024-2025.
Ministri theksoi se këtë vit ka rekord në regjistrime në shkollat profesionale që shkon gati mbi 10% në total.
“Janë 4400 regjistrime më shumë deri tani, ndërkohë që shtatori është i hapur për regjistrime deri në fund të muajit. Është një trend që po zgjerohet dhe tregon se është zgjedhja e duhur për të kaluar në këto profesione. Tregu i punës ju mirëpret këtu dhe kudo, por ne do të donim që të ishit këtu ndaj po bëjmë ç’është e mundur që tregu i punës të jetë dinjitoz dhe t’ju presë me paga sa më të larta”, iu drejtua Gonxhja nxënësve.
Kjo shkollë po zbaton programin dual, një nga risitë e arsimit profesional që bazohe te modelet më të mira zvicerane e gjermane dhe integron nxënësit nga bankat e shkollës në tregun e punës.
Ministri Gonxhja theksoi se për arsimin profesional ka aq shumë kërkesa sivjet, sa që nuk ka shkolla për kaq shumë kërkesa.
“Ndaj duhet që gjithë politikat e programet tona të ndryshojnë në varësi të gjithë kësaj oferte kaq të madhe, që ne duhet t’i dedikohemi me investime edhe me kushtet më të mira. Ne jemi shumë mirë, por duhet të investojmë më shumë dhe të modernizojmë më shumë shkollat”, theksoi ai.
Ndaj ministri theksoi se po nisin investimet në shkolla të reja.
“Tregu i punës është në ditët e veta më kërkuese dhe shpresojmë edhe me paga më të larta. Ne po e incentivojmë shumë këtë pjesë në mënyrë që njerëzit të kenë mundësi të rrinë në Shqipëri”, tha Gonxhja.
Ministri theksoi se qeveria po punon shumë që Shqipëria të jetë alternativa kryesore e zgjedhjes për çdo nxënës.
Ministri Gonxhja informoi se po investohet po ashtu edhe në konviktet e shkollave profesionale.
Sipas tij “me FSHZH-në po ndërhyhet në 6 konvikte”. “Investimi nis këtë vit, do të rikonstruktohen dhe vihen në shërbim të shkollave profesionale”, tha ai.
“Ne do të mundohemi që tregu që ju pret të jetë dinitoz, mos të jetë informal, abuziv, shfrytëzues, por të jetë i drejtë sepse kemi shumë problematikë me bizneset dhe subjektet që të drejtat e punonjësve nuk i kuptojnë gjithmonë si duhet. Duke filluar me kontributet që shpesh fshihen”, shtoi Gonxhja.
Duke u ndalur te skema e pensioneve, Gonxhja theksoi se “edhe prindërit tanë në skemën e tyre janë të goditur nga informaliteti i sotëm, sepse nuk e mbushim dot deficitin e kontributeve me kostot që kanë pensionet sot”.
Nga ana e tyre drejtuesit e shkollës informuan se është bërë rritja e pagave për mësuesit dhe instruktorët e lëndëve të arsimit profesional, e cila është një rritje e konsiderueshme.
Shkolla Teknike Profesionale “Gjergj Canco”, është e orientuar në 2 drejtime: Elektroteknikë dhe Teknologji Informacioni dhe Komunikimi. Këtë vit të ri arsimor shkolla është pjesë e sitstemit dual, projekt pilot që nis për herë të parë në 10 institucione arsimore profesionale dhe do të realizohet në bashkëpunim të ngushtë me biznesin.
Në 31 shkollat profesionale të vendit do të marrin mësim mbi 15 mijë nxënës, ku 4450 janë regjistruar për herë të parë në klasë të Xl-të.