Drejtuesja e UNOPS në Shqipëri, Sabine Kania ofroi sot mbështetje teknike për Operatorin e Blerjeve të Përqendruara.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau sot momente nga vizita e ekipit të UNOPS në OBP.

“Ekipi i UNOPS është impresionuar nga treguesit e shkëlqyer të punës së ekipit të OBP, të përzgjedhur në kohë rekord e me shumë profesionalizëm, në veçanti me punën e shpejtë për manualet e mallrave dhe produkteve të standardizuara, si edhe me nismën e platformës Alb-Zone “katalogu i porosive online” për institucionet”, tha ai.

Në kuadër të reformimit tërësor të këtij shërbimi, Gonxhja informoi se “Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka garantuar kushte optimale pune për OBP, duke synuar motivimin dhe përkushtimin maksimal të stafit të Operatorit të Blerjeve të Përqendruara, në sinergji me partnerë, homologë e organizata ndërkombëtare me reputacion.

Ekspertët e nivelit të lartë në fushën e prokurimit publik, kanë nisur fillimisht analizën e thelluar të kuadrit ligjor në fuqi për mirëfunksionimin dhe përmirësimin e performancës së organit qendror blerës të Shqipërisë.

Nga ana e Administratores së OBP, Arlinda Pogaj u theksua rëndësia e përditësimit me praktikat më të mira në fushën e prokurimeve publike si dhe gatishmëria për testime, trajnime dhe specializime të mëtejshme.

Nga ana e Drejtueses së UNOPS në Shqipëri, Sabine Kania u shprehën konsiderata lidhur me performancën 4-mujore të OBP, në shumë drejtime të funksionimit të saj, ndërsa u garantua angazhimi për ndihmesë mes ekspertëve ndaj stafit të OBP, në nivel teknik dhe në përputhje me nevojat e paraqitura.