Inflacioni zbriti në 2 % në muajin gusht, duke shënuar nivelin më të ulët që prej qershorit të vitit 2021.

INSTAT publikoi sot indeksin e Çmimeve të Konsumit, raport i cili tregon se vala e rritjes së çmimeve prej pandemicë së COVID-19 e më pas agresionit luftarak në Ukrainë është frenuar.

“Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin gusht 2024 është 2 %, një vit më parë ky ndryshim ishte 4 %. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin gusht 2024, krahasuar me korrik 2024 është 0.5 %”, thuhet në raportin e INSTAT-it.

Rritja vjetore e çmimeve në muajin gusht është ndikuar kryesisht nga grupi “ushqime dhe pije joalkoolike” me 0.86 pikë përqindje, pasuar nga grupi “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0.29 pikë përqindje.

Krahasuar me muajin gusht 2023, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “argëtim dhe kulturë” me 4 %, pasuar nga grupet “veshje dhe këpucë” me 3.9 %, “pije alkoolike dhe duhan” me 3.6 %, “mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me
3.5 %, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2.4 %, “shërbimi arsimor” me 2.2 %.

Çmimet në “hotele, kafene dhe restorante” shënuan rritje me 1.8 %, “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1.5 %, “shëndeti” me 1.4 %, “komunikimi” me 0.6 %.

Nga ana tjetër çmimet e grupit “transporti” shënuan ulje me 3.1 %.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” patën një rritje me 5.5 %, pasuar nga nëngrupet “qumësht, djathë dhe vezë” me 4.4%, “peshk” me 4.2 %, “mish” me 3.1%.

Krahasuar me muajin korrik 2024, çmimet e grupit “argëtim dhe kulturë” u rritën me 1.8 %, pasuar nga “ushqime dhe pije joalkoolike” me 1 %, “veshje dhe këpucë” me 0.6 %, “pije alkoolike dhe duhan”, qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “komunikimi” me 0.4 % secili.