Ky vit shkollor përkon me 100-vjetorin e shkollës së parë shqipe të hapur në Lin, në vitin 1924, me mësuesin e parë nga Boboshtica, Dhimitri Kristo.

Në ditën e parë të vitit shkollor, prefekti i Qarkut Korçë, Nertil Jole, zgjodhi të ishte mes nxënësve të shkollës 9-vjeçare “Myredin Bashalli” në Lin, për t’iu uruar atyre shumë suksese në mësime.

Shkolla është rinkonstruktuar rishtazi dhe mirëpret 150 nxënës të fshatrave Lin, Piskupat dhe Buqezë (nga klasa e I-IX), të cilët do të zhvillojnë mësim në kushte shumë më komode se një vit më parë.

Ky ishte një investim prej më shumë se 59 milionë lekë, i qeverisë (80%) dhe me bashkëfinancim të bashkisë së Pogradecit (20%).

Prefekti Nertil Jole tha se, arsimi është prioritet kryesor i qeverisë, e cila ka siguruar mjedise komode për nxënësit dhe stafin e shkollës, duke shtuar kabinete si ai i informatikës, biologji-kimi, ambient infermierie, sistem fonie, sistem antizjarri etj.