Gjiganti gjerman i automjeteve ‘’Volkswagen’’ mbajti një mbledhje të stafit me ekipin menaxhues, pasi punonjësit protestuan ndaj planeve të uljes së kostos, që mund të rezultojnë në mbylljen e fabrikave në Gjermani.

‘’Më shumë se 16 000 punonjës u mblodhën në selinë e kompanisë në qytetin verior të Volfsburgut’’, sipas këshillit sindikalist.

‘’Volkswagen’’ tha të hënën se kompania nuk mund të përjashtonte pushimet e detyruara nga puna dhe mbylljen e fabrikave, si pjesë e planeve të mëdha shtrënguese që synojnë ta mbajnë në treg prodhuesin e makinave.

‘’Volkswagen’’ nuk ka mbyllur kurrë një fabrikë në Gjermani dhe nuk ka mbyllur një fabrikë askund në botë që nga viti 1988.

Pjesëmarrësit në mbledhjen e punonjësve mbanin pankarta që akuzonin menaxherët për “standarde të dyfishta” për shkurtimin e pagave dhe brohorisnin “Ne jemi Volkswagen, ju nuk jeni”.

Shefi ekzekutiv i VW Thomas Schafer tha duhej të adresonte shqetësimet e punonjësve.
Daniela Cavallo, kryetarja e këshillit të punës, tha në takim se për krizën në VW fajin e kanë menaxhuesit dhe jo punonjësit.

Cavallo identifikoi vija të qarta të kuqe për punonjësit, duke argumentuar se nuk duhet të ketë mbyllje të fabrikave, asnjë ulje të pagave dhe një zgjerim të sigurisë së punës.

“Volkswagen po vuan sepse bordi nuk po bën punën e tij”, tha Cavallo