Janë hapur aplikimet për pajisjen me licencë apo ripërtëritjen e saj për administrimin kolektiv të të drejtave të autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me to.
Nëpërmjet një publikimi, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, bën me dije se afati për depozitimin e kërkesave dhe plotësimin e plotë të dosjes së aplikimit është data 3 tetor.
MEKI ftoi të gjitha subjektet e interesuara, të paraqesin pranë Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit kërkesë për shprehje interesi, formularin e aplikimit sipas formatit të miratuar, dokumentacionin shoqërues, i cili vërteton përmbushjen e të gjitha kritereve si dhe depozitimin e mandat pagesës së tarifës për licencim ose ripërtëritje të saj. Fatura e pagesës tërhiqet pranë Drejtorisë së Buxhetit dhe Menaxhimit Financiar në Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.