Banka e Shqipërisë ka përgatitur për herë të parë një udhëzues për bankat tregtare, mbi rreziqet financiare të lidhura me klimën dhe mjedisin.
Sipas relacionit që shoqëron këtë dokument, “BSH-ja vlerëson se rreziqet që lidhen me ndryshimet klimatike dhe mjedisin po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme dhe sistemi bankar luan një rol kyç në këto ndryshime, pasi shërben si kanalizues i flukseve të kapitalit drejt një ekonomie më të qëndrueshme. Në këtë proces, ndryshimet klimatike dhe tranzicioni drejt aktiviteteve të qëndrueshme përbëjnë burim rreziku për bankën”.
Udhëzuesi orienton bankat të integrojnë rreziqet klimatike në kuadrin e përgjithshëm të administrimit të rrezikut, për të shmangur humbjet e papritura.
Rreziqet e lidhura me klimën dhe mjedisin mund të ndikojnë, për shembull, në rritjen ekonomike, punësimin ose çmimet e pronave në nivel kombëtar, rajonal ose lokal.
Në këtë kontekst, bankat duhet të identifikojnë rreziqet që vijnë nga ndryshimet klimatike dhe degradimi mjedisor në nivel sektorësh kryesorë apo zonash gjeografike si dhe në nivel produktesh e shërbimesh.
Ndërkohë që paralelisht ato duhet të vlerësojnë të mbështesin produkte të qëndrueshme “të gjelbra” si një mjet për të arritur objektivat e rrezikut të lidhura me klimën dhe mjedisin dhe të rregullojë modelin e biznesit dhe përbërjen e portofolit.