Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi sot se investimet e huaja në vend shënuan rritje me 15.2 %, në tremujorin e parë të këtij vit, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Indikator i rëndësishëm janë investimet e huaja direkte, të cilat në fund të 2023 shënojnë një stok prej 1.5 miliardë euro me rritje prej mbi 8% në raport me stokun që kemi pasur në 2022. Për tremujorin e parë të 2024 kemi rritje të investimeve të huaja direkte me rreth 47 milionë euro ose me 15.2%, krahasuar me 2023”, tha ai gjatë konferencës për shtyp të mbajtur sot.

Malaj vuri në dukje se gjithashtu rritje të të ardhurave ka në tatime e dogana.

“Kemi rritje të të ardhura në masën 11.4% ose mbi 22 miliardë lekë më shumë. Administrata tatimore ka kryer punë të mirë për mbledhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore. Kemi rritje të tatimeve”, tha ai.

Ai theksoi se investimet kapitale pritet të shkojnë në 340 milionë euro më shumë nga parashikimi.

“Në bazë të performancës pozitive të ekonomisë, kemi krijuar hapësira të reja fiskale që do të thotë më shumë investime nga ana e shtetit. Sa i përket investimeve kapitale për periudhën 2024-2025 parashikohet të shkojnë në masën 340 milionë euro më shumë, se sa ishin planifikaur në fillim të këtij viti”, u shpreh Malaj.

Ai informoi edhe lidhur me rishikimin e buxhetit në fund të muajit gusht.

“Ministria e Financave në fund të muajit gusht i propozoi Këshillit të Ministrave ndryshime të rëndësishme në buxhetin e vitit 2024. Këto ndryshime janë bërë për të pasur një ndikim më të lartë social. Ndërkohë edhe investimet në infrastrukturë, shëndetësi, energji, bujqësi e turizëm janë mbajtur në fokus”, nënvizoi ministri.

Duke folur për pagat, Malaj bëri të ditur se paga mesatare aktuale në vend është 710 euro, ndërsa në administratë është 900 euro. Sipas tij kontribuesi kryesor në rritjen e pagës është sektori publik me rritje 13%.

“Kemi rritje të pagës reale në masën 10. 8%. Kontribuesi kryesor në rritjen e pagës është sektori publik me rritje 13% dhe ndiqet nga sektori privat me 9.7%. Rritja e pagës në sektorin publik ushtron një presion pozitiv në sektorin privat, i cili do të duhet ta ndjekë që të jetë i konkurrueshëm në treg. Paga mesatare aktuale është 710 euro, ndërsa në administratë është 900 euro”, tha Malaj.