Përveç problemeve financiare, si mund të ndërtohet një orë që të funksionojë për mijëra vite? Teknikisht, nevojiten materiale shumë të qëndrueshme, por jo të çmuara për të mos tërhequr vjedhje të mundshme. Pritet të përdoret një përzierje me pjesë të përbëra nga guri dhe çelik i paoksidueshëm. Mekanizmi do të jetë shumë i ngadaltë dhe për pasojë shumë ingranazhe do të qëndrojnë në kontakt me njëra-tjetrën pa lëvizur për dhjetëra vite. Fletë prej qeramike do të përdoren në këto vende për të evituar një shkrirje të ingranazheve të ndryshme. Madhësia e kësaj ore do t’i mundësojë që të kalojë shekujt, ashtu si piramidat apo statujat në Ishullin e Pashkëve. Për të evituar çdo lloj çakordimi me kohën astronomike, ora do të rregullohet automatikisht çdo ditë duke përdorur diellin si pikë referimi. Për këtë qëllim është imagjinuar një sistem kompleks lentesh të bashkuara me ingranazhet e tjera. Pjesa e brendshme përbëhet nga pesë dhoma, që përkojnë me pesë intervale të kohës (një vit, një dekadë, një shekull, një mijëvjeçar, 10 mijëvjeçarë). Madje, çdo vit, një riprodhim i planeteve dhe sondave ndërplanetare, të dërguara nga njeriu, do të jetë e mundur të shfaqet ndpërmjet një mekanizmi që duhet të aktivizohet. Në përgjithësi, e gjithë struktura është ideuar për të qenë e aksesueshme dhe e dukshme. Kalimi i vizitorëve do të mundësojë gjithashtu, në rastin më të keq, që të riparohen mosfunksionime të mundshme.