I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak ka paralajmëruar një vizitë në Kosovë për të përgatitur takimin e radhës të nivelit të kryenegociatorëve në Bruksel.
“Pas një ndalese të shkurtër në Bruksel, do të shkoj në Bled për Forumin Strategjik të Bledit të këtij viti dhe në Prishtinë për të përgatitur takimin e ardhshëm të kryenegociatorëve në Bruksel”, ka shkruar Lajçak në Facebook.
Ndërmjetësuesi për dialog, Lajçak ka shkruar në Facebook për ditët e ngarkuara në Forumin Evropian të Alpbachut dhe në Forumin GLOBSEC në Pragë.
Lajçak thekson se një prej momenteve të rëndësishme ka qenë takimi me zëvendësndihmësekretarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanov në margjinat e GLOBOSEC.
Po ashtu ka veçuar takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për hapat e radhës në dialog.