Në segmentin e tretë të aksit rrugor Qukës-Qafë Plloçë, po vijojnë punimet, ndërsa deri tani janë kryer 66 % e punimeve fizike.
Autoriteti Rrugor Shqiptar bën të ditur se aktualisht në këtë segment po punohet për formimin e trupit të rrugës në mbushje dhe gërmim, punime të cilat janë drejt përfundimit.
Paralelisht vijon puna gjatë gjithë gjatësisë së rrugës për mbrojtjen dhe sistemimin e skarpatave me rrjeta.
Projekti bazë për ndërtimin e tre loteve të aksit rrugor Qukës-Qafë Plloçë është hartuar në vitin 2011, por për shkak të problemeve me projektin, ku u panë mospërputhje mes projektit dhe terrenit, punimet për përfundimin e saj u vonuan.
I gjithë financimi për ndërtimin e tre loteve të rrugës Qukës-Qafë Plloçë llogaritet rreth 255.8 milionë dollarë.
Ky projekt përmirëson parametrat e rrugëtimit dhe bën të mundur aksesimin e trafikut, që kalon ndërmjet Korridorit 8 nga aksi rrugor Tiranë-Elbasan me pjesën e juglindjes, si dhe shkurtimin e distancave me pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, qytetin e Korçës dhe më tej.
Po ashtu, ndikon në rritjen e turizmit të zonës së Pogradecit dhe Korçës, bën të mundur akomodimin e trafikut të rëndë, ndikon në zhvillimin e bujqësisë së zonës rurale të Mokrës dhe fshatrave përreth, duke ndihmuar në shkurtimin e distancës së fshatrave me rrugën e kryeqytetit dhe anasjelltas, rrit dhe nxit punësimin, shkurton kohën e rrugëtimit nga Tirana drejt Korçës dhe kohën e transportit të mallrave nga porti i Durrësit për në pikën e kalimit
kufitar të Kapshticës.
Puna për ndërtimin e lotit të tretë të rrugës Qukës-Qafë Plloçë pritet të përfundojë deri në fund të vitit 2025.