Misioni i UNESCO-s në Shqipëri zhvilloi një vizitë edhe në Peizazhin e Mbrojtur “Pishë Poro-Nartë”, veçanërisht në zonën e Lagunës së Nartës. Grupi i punës vlerësoi pellgun ujëmbledhës të Vjosës me një sipërfaqe 4,540 km² në territorin shqiptar, për larmshmërinë e relievit, mozaikun e llojeve të ndryshme të habitateve të një shkalle unike në Evropë. Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura theksoi se “lugina e Vjosës është padyshim një thesar që meriton të përfshihet në Programit “Njeriu dhe Biosfera”, UNESCO”. Gjithashtu ekspertët e misionit të UNESCO-s, së bashku me ekspertët e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, vijojnë punën mbi përgatitjen e dosjes për aplikimin në Programin “Njeriu dhe Biosfera”. Ky aplikim do të përfshijë tre elementet kryesorë që një Biosferë duhet të përmbushë: funksionin ruajtës, zhvillimin dhe mbështetjen logjistike. Grupi i Punës ka vizituar edhe monumentin e natyrës “Ujërat Termale të Bënjës”, si një nga pikat më të rëndësishme ku njeriu, kultura dhe natyra ndërveprojnë.