Burimet alternative të energjisë nga panelet diellore dhe centralet fotovoltaike lundruese janë një rrugë e re për të krijuar siguri dhe rezerva energjetike. Interesi për instalimin e impianteve fotovoltaike për vetëprodhim apo qëllime tregtimi të energjisë mbetet i lartë edhe këtë vit.
Enti Rregullator i Energjisë Elektrike njoftoi nisjen e procedurës për licencimin e shoqërisë “MAGNA SOLAR POWER” në veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike nga centrali fotovoltaik.
Sipas ERE-s, centrali do të ketë kapacitet të instaluar 2 MW, dhe do të vendoset në fshatin Sheq Marinas, njësia administrative Topojë, Fier.
Energjia e prodhuar nga centralet fotovoltaike pësoi rritje gjatë 6-mujorit të parë të vitit, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas të dhënave zyrtare, në total u gjeneruan rreth 208 000 mWh energji apo 169 mijë mWh më shumë se 6-mujori i vitit të kaluar.