Parku detar Karaburun-Sazan është një mrekulli e gjallë e natyrës shqiptare.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot në rrjetet sociale pamje nga bota nënujore e këtij parku.
“Mrekullia e botës së gjallë nën ujërat e Karaburunit”, shkruan Kumbaro.
Karaburun-Sazan është i vetmi Park Kombëtar Detar në Shqipëri. Ai shtrihet në hapësirën detare me gjerësi 1 milje detare, përgjatë Gadishullit të Karaburunit (nga Kepi i Shën Vasilit deri te faqja e Langadhës) dhe rreth Ishullit të Sazanit.
Ujërat nëntokësore janë të pasura dhe shfaqen në burime karstike. Përgjatë Gadishullit të Karaburunit mund të hasen burime të ujërave të ëmbla përgjatë bregdetit, që shkarkojnë ujërat e tyre të ftohta nga fundi i sipërfaqes së detit.
Kjo pjesë e gjithë bregdetit shkëmbor paraqet peizazhe me cilësi të jashtëzakonshme panoramike, veçanërisht nga mjetet e lundrimit, kur vizitohen shpellat, kanionet dhe gjiret e vogla, p.sh. shpella e Haxhi Aliut dhe shpella e Duk Gjonit.
Peizazhet nënujore janë gjithashtu të një cilësie të jashtëzakonshme, me shkëmbinjtë, shpellat nënujore, shoqërimet e faunës dhe florës, dhe në disa vende të shoqëruara edhe me mbetje arkeologjike. Livadhet e Posidonia oceanica ofrojnë një biodiversitet relativisht të lartë të makrofaunës së fundit të detit, duke përfshirë Sfungjerët, Knidarët, Briozoarët, Molusqet, Anelidët, Krustacet, Ekinodermët etj.) dhe Ascidiet.
Ky park konsiderohet si shtëpia e 36 specieve detare me rëndësi ndërkombëtare mes tyre ka dhe specie, të cilat i përkasin listave të llojeve të rrezikuara. Parku prej vitit 2015 është pjesë e Zonave Veçanërisht të Mbrojtura në Mesdhe (SPAMI), sipas Konventës së Barcelonës.