Në muajin korrik, inflacioni i matur me metodologjinë e EUROSTAT, (IHÇK) në vendin tonë zbriti në 2.5 % nga 3.8 % që ishte në fillim të këtij viti.
Niveli i IHÇK-së në korrik rezulton 0.4% me i lartë se matjet kombëtare të INSTAT, ku IÇK u llogarit 2.1 %.
Referuar raportit të INSTAT-it, matjet tregojnë se rritja më e madhe e çmimeve prej 4.1 % vërehet në grupin “shërbimi arsimor”, pasuar nga grupet “ushqime dhe pije joalkoolike” me 3.6 %, “pije alkoolike dhe duhan” me 3 %, “veshje dhe këpucë” me 2.7 %.
Grupi “mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” shënoi rritje me 2.4 %, “mallra dhe shërbime të ndryshme” me 2.3 %, “shëndeti” dhe “hotele, kafene dhe restorante” me 2.1 % secili, “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1.8 %, “argëtim dhe kulturë” me 1.3 %, “transporti” dhe “komunikimi” me 0.3 % secili.
Ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit ra 0.2 %.
Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve të grupeve “ushqime dhe pije joalkoolike” dhe “argëtim dhe kulturë” me 0.7 % secili.
Rumania, Belgjika dhe Islanda kishin inflacionin më të lartë përgjatë korrikut në krahasim me vendet e tjera të Europës mbi 5%, teksa Finlanda dhe Letonia dhe Danimarka kishin nivelin më të ulët ne më pak se 1%. Inflacioni mesatar në Europë gjatë muajit korrik ishte 2.8%.