Sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), për periudhën janar-qershor 2024 nga kreditë bankare dhe shërbimet tjera ndaj qytetarëve dhe bizneseve, bankat tregtare kanë pasur fitim të pastër 90.9 milionë euro, ose 8.2 milionë euro më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Në gjashtëmujorin e parë 2023 fitimi i bankave ka qenë 82.6 milionë euro. Në vitin 2022 në këtë periudhë fitimi i bankave ishte 65 milionë euro, raporton KosovaPress.
Norma e interesit për muajin qershor të këtij viti ishte 6.1 për qind.
Numri i qytetarëve që kanë marrë kredi nëpër bankat tregtare në Kosovë është rritur mbi 6 mijë deri në qershor të vitit 2024, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Afro 87 mijë qytetarë u janë drejtuar bankave të Kosovës për kredi në gjashtëmujorin e parë. Ndërkaq, shuma e përgjithshme e kredive në sektorin bankar deri në muajin qershor është mbi 5 miliardë euro, që nga njohësit e ekonomisë vlerësohet si shqetësuese. Ndërsa norma mesatare e interesit ka shënuar një rënie të lehtë.