Parku natyror “Syri i kaltër” në Sarandë vijon të jetë ndalesa e një numri të lartë turistësh edhe gjatë këtij sezoni veror.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bëri të ditur se Parku Natyror i Syrit të Kaltër, ndër destinacionet më të vizituara, ka mirëpritur plot 4220 vizitorë vetëm në një ditë përgjatë muajit gusht.
“Specialistët e zonave të mbrojtura kujdesen përherë për të ofruar një eksperiencë sa më të plotë për kureshtarët e turistët”, vlerësoi Kumbaro.
“Syri i kaltër” ndodhet pranë fshatit Muzinë, pranë rrugës nacionale Delvinë-Gjirokastër, rreth 30 minuta larg nga Saranda.
Ai është një pasuri natyrore e Shqipërisë, i cili me vendimet e muajit janar 2022 ka marrë një status më të lartë mbrojtjeje, atë të “Parkut Natyror”, me një sipërfaqe të rritur në 293 hektarë, për të mbrojtur më mirë Monumentin e Natyrës me të njëjtin emër që mban brenda parkut.
Vitet e fundit “Syri i Kaltër” ka tërhequr shumë vizitorë nga vende të ndryshme të botës.