Në zemër të lagunës së Nartës ndodhet Manastiri i Shën Mërisë në ishullin e Zvërnecit, Monument Kulture i Kategorisë së parë.
Ky manastir i shek. XIV, i rrethuar nga ujëra të kristaltë, mbart një histori të thellë dhe është një destinacion i rëndësishëm për pelegrinët dhe vizitorët që kërkojnë qetësi dhe lidhje me natyrën dhe besimin. Një vend ideal për reflektim dhe për të shijuar bukurinë natyrore të Shqipërisë.
Datën 15 ky manastir regjistroi një numër vizitorësh më të lartë se zakonisht, dedikuar festës së Shën Mërisë. Në manastir mund të shkohet përmes një ure këmbësorësh prej druri. Manastiri është një ndërtim tipik bizantin i ndërtuar në shek. X pas Krishtit.
Kisha është e tipit “kryq i lirë” me kupolë. Ajo mbart në vetvete dy faza ndërtimi, duke u veçuar në pjesën e vjetër dhe atë të re. E vjetra përbëhet nga naosi (salla) dhe narteksi (parasalla). Naosi ka formën e një kryqi të lirë, ku krahët lindorë dhe perëndimorë janë më të gjatë se krahët jugore dhe veriore. Ai përbëhet nga absida, një protezis gjysmërrethor dhe diakonikoni. Pjesën më të madhe të tij e zë tamburi me kupolën, i cili është ndërtuar me gurë e copa tullash të vendosur me llaç midis tyre. Narteksi është pjesa tjetër e ndërtimit të vjetër që përfaqësohet nga një zgjatim katërkëndor. Ndërsa pjesa më e re e kësaj kishe përbëhet nga ekzonarteksi dhe këmbanorja.