Kina do të fillojë të kontrollojë njerëzit që hyjnë në vend për linë e majmunit për gjashtë muajt e ardhshëm, tha në një deklaratë administrata e saj doganore. “Kushdo që hyn në Kinë nga vendet me raste të virusit, ata që kanë rënë në kontakt me rastet e lisë së majmunit ose ata me simptoma të virusit do të testohen”, tha dogana. “Automjetet, mallrat dhe importet e tjera nga zonat me virusin duhet të dezinfektohen”, thuhet në deklaratë. Të mërkurën, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpalli një Emergjencë të Shëndetit Publik të Shqetësimit Ndërkombëtar, nivelin më të lartë të alarmit, për shkak të një varianti të ri të sëmundjes virale të lisë së majmunit në Afrikë. OBSH tha se ekzistonte rreziku që virusi mund të përhapej sërish ndërkombëtarisht pas një shpërthimi në 2022 dhe të bëhet një rrezik i përhapur për shëndetin. Suedia regjistroi dje rastin e parë të konfirmuar jashtë Afrikës të variantit më të ri të lisë së majmunit. Varianti “Clade I” besohet të jetë më infektiv se variantet e mëparshme dhe i aftë të shkaktojë infeksion të rëndë. Mpox, e quajtur ndryshe lija e majmunit, lidhet me linë. Shkakton lezione të lëkurës, ethe dhe dhimbje muskulore. Ekzistojnë dy vaksina kundër këtij virusi, por ato janë në mungesë në Afrikë.