Sot makinat elektrike janë sigurisht mjete transporti më pak ndotëse, më të pazhurmshme, por edhe më pak të përhapura se makinat tradicionale, shkruan focus.it.
Megjithatë është më se e sigurt në një të ardhme jo shumë të largët, ato do të përfaqësojnë pjesën më të madhe të tregut.
Përveç prodhimit të më pak emetimeve të karbonit, në fakt, këto makina potencialisht mund të ruajnë energji dhe ta kthejnë atë në rrjetin kombëtar, një veçori që mund të jetë vendimtare në kohët kur vetëm panelet diellore dhe turbinat e erës nuk janë në gjendje të plotësojnë nevojat e përditshme.
Adoptimi në shkallë të gjerë i makinave elektrike, në fakt, po ngre pyetje në lidhje me aftësinë e rrjeteve për të menaxhuar kërkesën në rritje për energji.
Në vende si BM e të tjera, ku ka plane për të ndaluar shitjen e makinave të reja me benzinë dhe naftë deri në vitin 2035 dhe ku një milion automjete elektrike janë tashmë në rrugë, shqetësimet për mbingarkesat e mundshme të rrjetit elektrik nuk duken të pabaza.
Megjithatë, disa ekspertë të industrisë argumentojnë se tranzicioni drejt llojit të ri të makinës mund të përfaqësojë një mundësi për ta bërë sistemin energjetik më eficient, sesa një kërcënim për stabilitetin e tij.
“Nëse çdo karikues automjeti elektrik mund të ofronte shërbime të ribalancimit të rrjetit dhe nëse çdo shofer do të merrte pjesë në programet e balancimit, ne mund të eliminonim rrezikun e periudhat kombëtare të ndërprerjeve dhe mbingarkesës”, thekson Jack Fielder, kreu i divizionit strategjik të kompanisë britanike për gazetën ”The Guardian”.
Për të adresuar këto sfida, përhapja e teknologjive të reja inteligjente luan një rol themelor. Për të dhënë një shembull praktik, stacionet e karikimit të gjeneratës së ardhshme duhet të jenë të programueshme në mënyrë që bateritë e makinave të rikarikohen me një furnizim të kontrolluar dhe gjatë orëve të konsumit më të ulët, duke shmangur ato në të cilat kërkesa për energji është më e lartë.
Shumë operatorë tashmë po krijojnë zgjidhje që lejojnë menaxhimin optimal të karikimit të makinave, duke ofruar fleksibilitet në rrjet dhe kursime ekonomike për konsumatorët.
Është vlerësuar se nëse shërbimet e balancimit do të ishin aktive në të gjithë “karikuesit” e instaluar në qytete dhe shtëpi, ato mund të ofrojnë mbi 1 GW energji: ekuivalenti i kapacitetit të një termocentrali të mesëm, i mjaftueshëm për të furnizuar rreth 600 000 shtëpi.
Një tjetër perspektivë edhe më interesante përfaqësohet nga rritja e teknologjisë V2G (Vehicle-to-Grid), e cila lejon që energjia e ruajtur nga bateritë e rikarikueshme të makinave të kthehet në burimin e shpërndarjes, tashmë të pranishme në disa modele të markave si Hyundai, Renault, Nissan, MG dhe BYD.
Nëse do të instalohej në të gjitha automjetet elektrike në qarkullim, do të reduktonte nevojën për të ndërtuar termocentrale të reja, duke përdorur makinat si rezerva të lëvizshme të energjisë.