Pushime në Shqipëri? Ajo është destinacioni i verës. Plazhe, gjire sekrete dhe fshatra me shpirt të lashtë. Kështjella me pamje nga deti, vende arkeologjike të fshehura në pyje dhe mikpritje e ngrohtë, shkruan Francesca Masotti në një artikull të botuar në të përditshmen italiane “Vanity Fair Italia”.
Udhëtoni pas në kohë dhe humbisni mes rrënojave antike, pushoni në plazhet idilike dhe kushtojini disa orë vizitave kulturore në vendin mesdhetar!
Nuk është rastësi që “Lonely Planet” dhe “New York Times” e kanë përfshirë Shqipërinë në listën e vendeve kryesore për të kaluar pushimet. Toka e Shqiponjave është destinacioni i ri në modë në Mesdhe.
“Shqipëria është një vend me përmasa të vogla, por gjeografikisht shumë i larmishëm. Nga Alpet veriore deri te plazhet përgjatë bregdetit jugor, duke kaluar nëpër qytetet e artit, fshatrat, lagunat, liqenet dhe zonat arkeologjike, është një destinacion udhëtimi që kënaq nevojat e çdo vizitori”, tha ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro në Forumin FESTA në Tiranë.
“Pa harruar se territori ynë përshkohet nga Lumi Vjosa, një nga lumenjtë e fundit të egër të Evropës – një habitat vendimtar në ruajtjen e llojeve të ndryshme të kafshëve dhe bimëve – i cili sapo është shpallur Park Kombëtar”, shtoi ajo.
Konferenca e parë ndërkombëtare për turizmin u organizua në Ballkan, në fillim të prillit, me pjesëmarrjen e sekretarit të përgjithshëm të UNWTO, Zurab Pololikashvili dhe përfaqësuesve të sektorit të turizmit nga rreth 40 vende.
Të dhënat për turizmin në Shqipëri janë pozitive: këtë e vërtetojnë edhe investimet e rëndësishme në sektorin e hotelerisë – dhe rritja linjave ajrore nga e gjithë Evropa me kryeqytetin, Tiranën – e cila vitin e kaluar u zgjodh Kryeqyteti Evropian i Rinisë dhe këtë vit Kryeqyteti Sportiv Evropian.
Në vitin 2022, Shqipëria u vizitua nga 7,5 milionë turistë të huaj – dhe këtë vit sipas statistikave do të ketë edhe më shumë.
Një shifër shumë e rëndësishme – nëse marrim parasysh numrin e banorëve në vend – 2,8 milionë sipas regjistrimit të fundit.
Mes plazheve, qyteteve dhe aventurave, ja çfarë nuk duhet humbur gjatë një udhëtimi në jug të Shqipërisë!