Rritja e numrit të vizitorëve të huaj në Shqipëri ka rritur ndjeshëm interesin edhe ndaj trashëgimisë kulturore të vendit. Kalaja e Gjirokastrës është një prej këtyre destinacioneve që tërheqin gjithnjë e më shumë tursitët e huaj, falë vlerave historike dhe arkitekturore. Ajo vazhdon të ngelet monumenti më i preferuar për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës. Vetëm për muajin korrik numri i turistëve që kanë vizituar kalanë e Gjirokastrës është rritur me 13.78%, krahasuar me vitin 2023, ndërsa shifrat arrijnë në 116,35% nëse krahasohen me dy vjet më parë. Në korrik u regjistruan 35,996 vizitorë, ose 4,359 vizitorë më shumë se gjatë të njëjtës periudhë në vitin 2023 ose 19,358 vizitorë më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2022. Gjirokastra, apo siç njihet ndryshe “qyteti i gurtë” është ndër qytetet më të bukura në jug të Shqipërisë, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Simboli kryesor i qytetit është kalaja, e lidhur ngushtë me vetë qytetin. Ajo është e vendosur mbi një kodër, rreth 370 m mbi nivelin e detit.