Në vijën bregdetare të Golemit, në bashkinë e Kavajës, u prezantuan stendat me pajisje moderne jetëshpëtuese për të garantuar akoma më shumë siguri për pushuesit gjatë sezonit veror.
Në prezantimin e tyre ishin të pranishëm ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha dhe ambasadorja e Polonisë në Shqipëri, Monika Zuchniak-Pazdan.
Ministrja Koçiu nënvizoi se afërsia e Qendrave Shëndetësore verore me plazhet ”ka siguruar prezencë të profesionistëve të shëndetit në çdo moment që të japin ndihmë dhe mbështetje, por jo vetëm, edhe për të këshilluar në plazhet publike lidhur me masat kryesore që duhen patur parasysh gjatë kohëqëndrimit në diell, si dhe këshillat mjekësore për të kaluar një sezon pushimesh sa më të sigurt dhe të shëndetshëm”.
Përgjatë vijës bregdetare në Durrës janë vendosur 5 stenda me pajisje shpëtimi pranë plazheve ku dhe fluksi i pushuesve është më i lartë të cilat mund të përdoren nga kushdo në rast nevoje. Pajisja përfshin komerdare shpëtimi, një sistem elektronik kontrolli dhe sinjalizim zanor që njofton shërbimet e urgjencës apo edhe pushuesit duke tërhequr vëmendjen në rast rreziku për jetën e një personi në det.
Në stendë do të ketë staf nga Urgjenca Kombëtare dhe shërbimi zjarrfikës i Ministrisë së Brendshme.