Një gjykatë saudite ka rrëzuar dënimin me vdekje të dhënë në korrik 2023 kundër një mësuesi në pension që kritikoi qeverinë në internet, njoftoi vëllai i tij.
Vendimi kundër Mohammed al-Ghamdi, i dhënë nga Gjykata e Specializuar Penale në korrik 2023, ishte parë si një shenjë e një shtrëngimi të represionit nën princin e kurorës Mohammed bin Salman, sundimtarin de fakto të mbretërisë së Gjirit.
Princi Mohammed e trajtoi këtë vendim në një intervistë me ”Fox News” në shtator 2023, duke thënë se qeveria kishte “turp” për rastin dhe duke shprehur shpresën se rezultati i tij do të ndryshonte.
”Gjykata e apelit përmbysi vendimin kundër vëllait tim Mohammed këtë javë”, tha Saeed al-Ghamdi, një studiues islamik dhe kritik i qeverisë që jeton në mërgim në Mbretërinë e Bashkuar.
“Ai e njoftoi familjen e tij (në Arabinë Saudite) dhe ata na njoftuan ne. Ai nuk është ridënuar për asgjë”, shtoi ai.
Mohammed al-Ghamdi, një mësues në pension në të 50-at, u arrestua në qershor 2022.
Saeed al-Ghamdi më parë tha se çështja kundër tij bazohej, të paktën pjesërisht, në mesazhet që kritikonin qeverinë dhe shprehnin mbështetje për “të burgosurit e ndërgjegjes”, siç janë klerikët e burgosur Salman al-Awda dhe Awad al-Qarni.
”Llogaria e Mohammed al-Ghamdi në X u ndoq nga vetëm nëntë persona”, tha Qendra e Gjirit për të Drejtat e Njeriut kur problemet e tij ligjore dolën në dritë vitin e kaluar.
”Ai po ndiqej penalisht për komplot kundër liderëve sauditë, minim të institucioneve shtetërore dhe mbështetje të ideologjisë terroriste”, thanë burimet e informuara për rastin në atë kohë.
Në raste të tjera të ngjashme, apeli rezultoi me dënime më të ashpra, përfshirë për dy gra saudite që u dënuan me disa dekada burg në vitin 2022.
”Human Rights Watch” dhe Saeed al-Ghamdi raportuan muajin e kaluar se një vëlla tjetër, Asaad al-Ghamdi, 47 vjeç, u dënua me 20 vjet burg për postimin e mesazheve kritike në mediat sociale.
Ishte e paqartë të enjten nëse gjyqtarët do të shqyrtonin gjithashtu dënimin e Asaad al-Ghamdi.
Nën udhëheqjen e princit Mohammed, Arabia Saudite ka zbatuar një program ambicioz reformash, të quajtur “Vizioni 2030”, që synon të transformojë mbretërinë e dikur mbyllur në një destinacion global për turizmin dhe biznesin