Flota e mjeteve aktive vijon të pasurohet me mjete më pak ndotëse dhe të gjeneratës së fundit. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR) bën të ditur se gjatë periudhvs janar – korrik 2024, janë regjistruar për herë të parë 61 081 mjete, ose 45% më shumë krahasuar me 7 mujorin e vitit 2023. Ndërkohë që për muajin korrik, regjistrohet rekord shifrash të mjeteve të regjistruar për herë të parë për vitin 2024, prej 10 724 regjistrimesh, ose 34 % më shumë krahasuar me korrik 2023. Sipas DPSHTRR, 83% të totalit të tyre e përbëjnë autoveturat, 117% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë për 2019. Shtetet kryesore të origjinës janë Italia me 18.2 %, Republika e Koresë me 17.4 %, Gjermania me 17.2 %, Zvicra me 9.1 %, SHBA me 6.7 % dhe Kina me 5.7 %. Gjatë kësaj periudhe rezultojnë 3 857 mjete të çregjistruara në mënyrë të përhershme, me moshë mesatare mbi 22 vjeçare.