Bëhet fjalë për operën e Xhuzepe Verdit, “La Traviata”. Trupa Carro di Tespi Lirico mbërriti në Tiranë dhe dha disa shfaqje, mes tyre operan “La Traviata”, një fotografi të së cilës e sjell Arkivi i Shtetit. Skena u vendos në krye të Viale del Impero, atje ku sot gjendet Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, në lartësinë e sheshit “Nënë Tereza”. Duket qartë ndërtesa që sot i përket Rektoratit të Universitetit të Tiranës dhe Akademisë së Studimeve Albanologjike, e cila ende ishte në ndërtim e sipër. Në këtë fotografi bën përshtypje edhe peizazhi i atëhershëm i Tiranës: fotografia mbizotërohet nga mali i Dajtit, kurse djathtas-lart, në thellësi, shquhet mauzoleumi i Nënës Mbretëreshë, ndërtuar nga Mbreti Zog I. Fotografia është pjesë e Fototekës së Arkivit Qendror Shtetëror. Më 1929 qeveria fashiste e Romës krijoi katër trupa teatrale shëtitëse që morën emërtimin “Carri di Tespi” (“Qerret e Tespit”). Një prej këtyre për operan dhe këngën lirike, e emërtuar “Carro di Tespi Lirico” dhe tre për pjesët teatrale. Synimi i këtyre trupave ishte që të përçonte teatrin dhe operan lirike deri tek fashat më të izoluara të shoqërisë.