Sipas Besnik Bislimit, veprimet e ndërmarra ditën e djeshme nga Policia, janë vetëm në shërbim të mbrojtjes së sundimit të ligjit, konkurrueshmërisë, dhe kushtetutshmërisë në vend.
“Strukturat paralele dhe aktiviteti ilegal, nuk kanë vend në Republikën e Kosovës. Kjo, do të duhej të mbështetej fuqishëm edhe nga partnerët e aleatët tanë ndërkombëtarë”, ka shkruar Besnik Bislimi.
Pas informacioneve të marra nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) se në territorin e Kosovës po operojnë operatorë ekonomikë pa licensë dhe që nuk janë të regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK), Policia ka mbyllur ditën e djeshme nëntë objekte të Postës së Serbisë në veri.
Posta e Serbisë ka vepruar ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës. Veprimet e ndërmarra ditën e djeshme nga Policia, janë vetëm në shërbim të mbrojtjes së sundimit të ligjit, konkurrueshmerisë, dhe kushtetutshmërisë në vend. Strukturat paralele dhe aktiviteti ilegal, nuk kanë vend në Republikën e Kosovës. Kjo, do të duhej të mbështetej fuqishëm edhe nga partnerët e aleatët tanë ndërkombëtarë.
Republika e Kosovës punon çdo ditë që t’i përafrohet standardeve, vlerave e parimeve më të larta të Bashkimit Evropian. Përmes Marrevëshjes së Stabilizim-Asocimit që Kosova e ka me BE-në, ne si shtet obligohemi që sipas neneve 74, 75, 91, 94, 96 dhe 99, të ndërtojmë dhe praktikojmë ekonominë e tregut të lirë, t’i përmbahemi rregullave të mbrojtjes së konkurrueshmërisë në treg si dhe ndalimit, parandalimit dhe luftimit të aktiviteteve të tjera ilegale. Për më tepër, parakushtet kryesore për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian janë drejtësia, sundimi i ligjit dhe mbrojtja e respektimi i tyre.