Shqipëria bën pjesë në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta (vendet me të ardhura për frymë ndërmjet 4 466 dollarë dhe 13 845 dollarë, klasifikimi i BB), dhe rritja e investimeve në arsim e teknologji nxit më tej rritjen ekonomike të vendit, sugjeron Banka Botërore në Raportin e fundit të Zhvillimit Botëror për vitin 2024, i cili u fokusua në “kurthin” e të ardhurave të mesme.
Sipas BB, vendet me të ardhura të mesme janë në një garë me kohën. Që nga viti 1990, shumica e vendeve në botë, përfshi edhe Shqipërinë, kanë bërë mjaftueshëm për t’u shpëtuar niveleve me të ardhura të ulëta dhe çrrënjosjen e varfërisë ekstreme.
Por tani, ambiciet duhet të rriten për të arritur statusin me të ardhura të larta brenda dy ose tri dekadave të ardhshme.
Sipas Bankës Botërore, pikat kyçe ku realizohet kjo arritje është një ekonomi e bazuar në inovacion dhe investimet në kapitalin njerëzor.
Rruga e vetme për të siguruar prosperitet është qasja e ekonomisë në zhvillimin teknologjik dhe nxitja e talenteve. Banka sugjeron se qeveritë në vendet më të ardhura të mesme të larta, ku bën pjesë edhe Shqipëria, duhet të huazojë teknologji dhe ide për zhvillimin e saj nga jashtë.
Përveç teknologjisë vendet si Shqipëria duhet të investojnë në burimet njerëzore dhe te talentet, të cilët çojnë para forcën krijuese. Ndaj, investimet në arsim konsiderohen si mjeti kryesor për të shënuar progres në nxitjen e ekonomisë.
Raporti i sapopublikuar i Bankës Botërore për Zhvillimin Botëror (WDR 2024) fokusohet në “grackën e të ardhurave të mesme” dhe rrezikun që ajo paraqet për vendet në zhvillim. Raporti prezanton një udhëzues për të ndihmuar ekonomitë në zhvillim pët të arritur statusin e vendit me të ardhura të larta.
Vitet e fundit Shqipëria ka shënuar hapa cilësorë në drejtim të zhvillimit të arsimit, si një nga prioritetet kryesore në politikat e qeverisë me fokus ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë dhe diversifikimin e arsimit profesional. Gjithashtu investimet në rritje në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë i kanë dhënë shtytje zhvillimit ekonomik dhe social të vendit.
Në anën tjetër, ekonomia e vendit po orientohet drejt teknologjisë dhe kërkimit shkencor në universitete, si bazë e prosperitetit në fushën e dijes.
Investimet publike në Shqipëri janë të orientuara drejt teknologjisë, dhe nga ana tjetër, bizneset private synojnë të operojnë në sektorë e tregje me vlera të larta.