Shqipëria garanton 25 milionë euro për Ekonominë Blu, duke siguruar zhvillim të qëndrueshëm të ekonomisë detare dhe bregdetare falë marrëveshjes së bashkëpunimit Shqipëri – Itali, projektvendimi i të cilit u miratua në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj tha se, “programi “Ekonomia Blu” kontribuon duke i ofruar institucioneve dhe sektorit privat mundësi të reja në procesin e anëtarësimit në BE”.
Sipas saj, ky program përputhet me Strategjinë për Bujqësinë, Zhvillimin Rural dhe Peshkimin 2021-2027, dhe synon përmirësimin e infrastrukturës së peshkimit dhe mbështet peshkimin në shkallë të vogël në të gjithë bregdetin shqiptar.
Gjithashtu, u shpreh ministrja, ky hap do të ndihmojë në nxitjen e punësimit, formalizimin, modernizimin e sektorit, duke rritur konkurrencën dhe zhvillimin e tij të qëndrueshëm.
“Investimi kontribuon në Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së 2030, për sigurinë ushqimore, modelet e qëndrueshme të konsumit dhe prodhimit, dhe ruajtjen e burimeve detare”, tha Denaj.