Krijimi i pikave panoramike si atraksione turistike, që ofrojnë pamje spektakolare dhe përvoja unike për vizitorët, është një investim tjetër që do të ndërmarrë Fondi Shqiptar i Zhvillimit në zonat bregdetare të vendit, që konsiderohen me rëndësi të madhe ekonomike, kulturore dhe ekologjike.

Nën nismën për unifikimin e imazhit të fshatrave turistike, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur tenderin për kompaninë që do të kryejë punimet, që do të përfshijnë muret rrethues të pronave publike dhe private, zëvendësimin e portave ekzistuese, mobilimin urban me stola dhe kosha, ndërhyrje në fasada, rikualifikimin e hapësirave të pikave panoramike; përmirësimin dhe shtimin e gjelbërimit aty ku është e nevojshme, etj.

Sipas FSHZH, synimi i projektit është përmirësimi i peizazhit urban nëpërmjet krijimit të një ambienti tërheqës e të qëndrueshëm për turizmin, si dhe përmirësimi i ofertës turistike natyrore në destinacione ekzistuese apo të reja me potencial të lartë zhvillimi nëpërmjet ndërhyrjeve diversifikuese, duke përmirësuar eksperiencën turistike.

Ky projekt ka si qëllim krijimin e modeleve për rrethime, mure, gardhe, etj., për të rregulluar imazhin e hapësirave publike të fshatrave, por edhe të garantojë sigurinë dhe qëndrueshmërinë e tyre, duke harmonizuar estetikën e instalimeve të reja me bukuritë natyrore dhe trashëgiminë arkitekturore të fshatit.

Investimi për këtë projekt, do të jetë një vlerë e shtuar për banorët e këtyre zonave për ekonominë e turizmin. Përmes Rilindjes Urbane, FZHSH solli një stad të ri të zhvillimit në  infrasrukturën e qendrave të qyteteve nga jugu në veri të vendit, transformim i cili reflektohet sot me më shumë ripërtëritje të bizneseve, jetës ekonomike sociale dhe veçanërisht një hop të zhvillimit të turizmit në të gjitha dimencionet e tij.